Mjeku shqiptar: Trupit i duhen 28 ditë të krijojë mbrojtje pas marrjes së dozës së parë të vaksinës

27 Janar 2021, 13:47

Mjeku shqiptar, Genc Kapxhiu në Itali tha se është normale që një person të infektohet pavarësisht se mund të ketë marrë dozën e parë të koronavirusit. Në një intervistë në Report Tv, ai u shpreh se ka pasur një rast edhe në Itali në zonën e Lombardias. Sipas tij, trupit të njeriut i duhet 28 ditë që të krijojë mbrojtjen ndaj koronavirusit, por sërish duhen respektuar masat si mbajtja e maskës apo higjiena pasi asnjë pre vaksinave nuk ka një efektivitet prej 100 %.

"Personeli shëndetësor që ka bërë vaksinën ndërkohë që kanë kaluar COVID ka pasur një rikthim të simptomave të përgjithshme kur ishin infektuar, por vetëm për pak ditë. I vetmi trajtim që kemi bërë është trajtimi me inflamatorë për të ulur simtpomat. (...)

Ky lajm është mëse normale pasi nuk ka ndodhur vetëm me atë por edhe me kolegë të tjerë. Në Lombardi ka ndodhur. Brenda 21 ditësh duhet të bëjmë dozën e dytë. Duhet 21 ditë që trupi të reagojë. Duhet më saktë 28 ditë që ne të kemi imunitetin e duhur. Është normale që në këto raste të ndodhë infektimi pa krijuar mbrojtjen. E vetmja rrugë që duhet ndjekur, është mbrojtja duhet të vijojë edhe pas 30 ditësh, pra higjiena, mbajtja e maskës. 5% nuk të mbulon vaksinimi" - tha Kapxhiu.

Duke folur për situatën në Itali mjeku shqiptar shprehet se ka pasur rritje gjatë dy javëve të para të të shtruarve dhe të infektuarve në vend, kjo për shkak edhe të festave të fundvitit. Ai thotë se në fund të janarit dhe në javët e para të shkurtit pritet që të ulen rastet.

"Ishte normale që prisnim një rritje të numrit të të infektuarve me COVID në Itali sepse duke pasur parasysh festat që kaluan gjatë dhjetorit. Shpresojmë që nga fundi i muajit të ulet numri i infektimeve pasi kemi filluar dhe vaksinën, personelin shëndetësor thuajse e kanë bërë të gjithë, edhe dozën e dytë. Ne po shohim që numri i urgjencave me COVID është ulur krahasuar me dy javët e para të janarit. Efektet e vaksinës i dimë shumë mirë. Një gjë shumë e mirë është që nuk kemi efekte anësore, nuk kemi pasur asnjë rast që të tregojë se pacientët ose personeli shëndetësor të ketë pasur probleme me vaksinën" - tha Mjeku.