Mjeku Tritan Kalo për Report Tv: Lehtësimi i masave mund të shndërrohet në bumerang, ju tregoj çfarë ndodh brenda Infektivit

8 Prill 2020, 19:17 | Përditesimi i fundit: 2020-04-08 20:20:03

TIRANE-Mjeku Tritan Kalo, anëtar i komitetit teknik të epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi në një lidhje me "Skype" në edicionin qendror të lajmeve në Report Tv me gazetarin Besart Jacaj u shpreh se lehtësimi i masave në këto momente mund të kthehet në bumerang. "Pas disa javëve qeveria do të vijojë lehtësimin e masave, por në këto momente mund të shndërrohet në një bumerang dhe mund të kthehet një valë e dytë" tha ai. Gjatë intervistës mjeku tregoi në Report Tv atë që po ndodh brenda Infektivit dhe vështirësitë që hasin personat e shtruar. "Këta individë e vuajnë largësinë nga familja por ne mundohemi të krijojmë një mundësi relaksimi" tha ai. Anëtari i komitetit teknik të epidemisë kërkoi nga të gjithë qytetarët që të ndërgjegjësohen për të shkëputur zinxhirin e infeksionit, ndërsa mori shembull disa qytete ku deri tani nuk ka asnjë të prekur. "Gjirokastra, Përmeti, Saranda, Erseka nuk ka asnjë të infektuar edhe pse ka afërsi gjeografike apo janë kthyer nga Greqia. Nëse respektohen rregullat, mundësia e shkëputjes së zinxhirit të jep rezultate të favorshme" theksoi ai.