‘Molla’ e sherrit në vrasjen e ish-Bllokut, policia shpall në kërkim Elvana Gjatën

9 Tetor 2018, 17:23

Policia ka shpallur në kërkim policor këngëtaren Elvana Gjata. Këngëtarja është shpallur në kërkim nga policia, pas ngjarjes që ndodhi më 4 tetor në lokalin Monopol në ish-bllok.

Këngëtarja Elvana Gjata është larguar drejt Vienës 4 orë pasi ndodhi vrasja në ish-bllok. Gjata është shpallur në kërkim të detyruar nga policia, pasi duhet të japë dëshminë e saj për atë çfarë ndodhi.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se policia është në pritje që këngëtarja të shkojë dhe të japë dëshminë në polici, në të kundërt do të bëhet shoqërimi i saj i detyruar.

Këngëtarja Elvana Gjata, deri më tani dyshohet se ka qenë arsyeja e konfliktit që shkaktoi 1 viktimë dhe 2 të plagosur. Përveç Elvana Gjatës, të shpallur në kërkim janë edhe Ervin Mata, i dashuri i saj, si edhe Fabiol Alushi dhe komandoja Meviol Bilo, i cili dyshohet se qëlloi viktimën Fabiol Gaxha.

Më 4 tetor në lokalin Monopol, në zonën e ish-bllokut, një zonë e populluar dhe e frekuentuar nga të rinjtë, rreth orës 21:50 të mbrëmjes, një vrasje tronditi Tiranën. Dyshohet se truproja e këngëtares Elvana Gjata, komandoja Meviol Bilo, ka shtënë me armë mbi truprojën e biznesmenit Ervis Martinaj, Fabiol Gaxha, pasi ky i fundit dyshohet se kishte ngacmuar këngëtaren. Gjata dyshohet se ka qenë në lokal në momentin e ngjarjes, dhe se ka qenë e ulur në tavolin me të dashurin e saj, Ervin Mata, Fabiol Alushin, Geldo Hotin dhe Meviol Bilon.

Ndërsa nga ana tjetër në tavolinën e viktimës kanë qenë biznesmeni Ervis Martinaj, dhe Eljo Haton. Policia arrestoi në Kakavije Geldo Hotin, që dyshohet se ka qëlluar me armë në këtë ngjarje, ndërkohë që gjykata e ka lenë nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 45 ditë. Ndërsa për Ervis Martinajn gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për 30 ditë, dhe burg pa afat për Geldo Hotin.

f.g./l.q.