Momentet kur Ervis Martinaj transferohet drejt spitalit të burgjeve pas këmbënguljes së policisë

10 Tetor 2018, 09:00

TIRANE -Pas përplasjes së policisë me mjekët e spitalit “Amerikan 2” në Tiranë, Ervis Martinaj është larguar vullnetarisht në drejtim të spitalit të burgut. Në fakt ka qenë presioni i policisë së Burgjeve që ka detyruar Ervis Martinaj të largohet me dëshirën e tij, në drejtim të spitalit të Burgut. Kjo situatë rrodhi si pasojë e mjekëve të këtij spitali privat, pasi bluzat e bardha refuzonin mbrëmë rreth orës 21:00 të firmosnin kartelën dhe fletën e daljes së Ervis Martinaj nga spitali Amerikan.

Nisur nga kjo situatë, policët e kanë pasur të pamundur për të çuar deri në fund urdhrin e lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Stefan Çipa. Por mësohet se ky i fundit ka ushtruar presion mbi efektivat e policisë që ishin në detyrë se do bënte kallëzim penal dhe do merrte masa administrative për efektivët e policisë, nëse ata nuk do të realizonin transferimin e të arrestuarit në drejtim të spitalit të Burgut në Tiranë.

Si pasojë e vendosmërisë dhe presionit të ushtruar nga policia, vetë i arrestuari Ervis Martinaj, ka vendosur të largohet vullnetarisht, edhe pse mjekët e spitalit nuk kanë pranuar të firmosin fletë-daljen për të. Qëndrimi në spitalin privat i Ervis Martinaj, ka sjellë mobilizimin e shumë forcave të policisë së Tiranës në këtë zonë. Kjo është një situatë e paprecedentë ku mjekët e një spitali privat, pengojnë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor që detyronte policinë e Burgjeve të transferonte Martinaj nga spitali privat në spitalin e Burgjeve në Tiranë.