Monedha virtuale ndan ekspertët/ Malaj: Janë me rrezik! Civici: Mund të konkurrojnë bankat

27 Shtator 2019, 17:53

Monedhat virtuale mund të kthehen shumë shpejt në konkurrente të bankave tradicionale, nëse ato gjejnë përdorim të gjerë në shoqëri. Ky është konstatimi i FMN-së në një analizë të bërë për kriptovalutat, të cilin e përkrah edhe eksperti i ekonomisë Adrian Civici. Sipas Civicit institucionet monetare në vend duhet të marrin masat e duhura ligjore për ta lejuar qarkullimin e monedhave dixhitale.

Duke filluar që nga Banka e Shqipërisë që ka përgjegjësinë kryesore rregullatore, Ministria e Financave,  duhet të fillojmë të përpunojmë një kudër ligjor dhe institucional që të futemi në sistem, që të përfitojmë dhe të mos mbesim tek rreziqet. Bankat e shikojnë si konkurrente se bëhet fjalë për depozitat, për pagesat  bëhet fjalë për investime për transferta parash  në një farë mënyre është një formë e re e parasë në qarkullim që konkurron formën klasike që  deri tani është menaxhuar 100% nga bankat”  shprehet Civici.

Ndërkohë nga ana tjetër ish ministri i Financave  Arben Malaj, liston rreziqet që iu kanosen investitorëve nëse vendosin që të përdorin kriptovalutën. Malaj thekson se monedha virtuale është aktualisht treg i parregulluar dhe si i tillë është i luhatshëm.

Fitimi i lartë, fitimi i shpejtë është i lidhur me rrezik të lartë. Ky lloj investimi nuk është i rregulluar. Sigurisht që ajo monedhë duke qenë e parregulluar ka edhe luhatje të mëdha sa herë që del një zë që një shtet do ta njohë si monedhë vlera e saj rritet, ndërsa kur e refuzojnë ajo zbret. Por duke qenë një biznes i parregulluar e ka riskun me të lartë se çdo investim tjetër” thotë Malaj

Aktualisht Banka e Shqipërisë nuk e lejon përdorimin e monedhave dixhitale, pasi legjislacioni në fuqi nuk e parashikon. Rreth një vit më parë Banka deklaroi se këto monedha mbartin një sërë rreziqesh për përdoruesit, dhe si të tilla nuk mund të përdoren.  Ndërsa “bitcoin” është monedha e parë virtuale e emetuar në vitin 2009, dhe që në tregjet botërore po përballet me luhatje të vazhdueshme.