Monedhat virtuale të ligjshme, qytetarët: Nuk i njohim

31 Tetor 2019, 19:53

TIRANË- Një projektligj i hedhur për konsultim publik synon që kriptovalutat të jenë të ligjshme, pra të përdoren nga qytetarët shqiptarë.  Mirëpo sa të informuar janë qytetarët për rëndësinë e kriptovalutave, apo më konkretisht çfarë janë kriptovalutat?

Qytetarët e pyetur nga Report TV nuk arrijnë të kuptojnë rolin dhe kuptimin që kenë kriptovalutat apo të quajtura ndryshe monedhat virtuale.

Gazetarja: A e dini se çfarë është kriptovaluta, monedha virtuale?

Qytetari: Po e di, e lexova dje, është një gjë ende e kamufluar shumë , moderne që akoma nuk është hapur as në Evropë dhe Botë. Mua më duket një nismë jo e mirë.

Gazetarja: A e dini se çfarë është kriptovaluta?

Qytetari: E, nuk i dimë të gjitha këto fjalë të reja.

Qytetari: Ne nuk e dimë çfarë është jo më ti dimë kuptimin.

Qytetarja: Jo nuk e di, mbase e dinë ata të parlamentit, deputetët.

Gazetarja: A e dini se çfarë është, monedha virtuale?

Qytetarja: Jo nuk e di.

Gazetarja: Hera e parë që po e dëgjoni?

Qytetarja: Po!

Monedhat virtuale janë të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet, bankë qendrore, apo institucion ndërkombëtar.

Ato mund të blihet në një platformë këmbimi duke përdorur monedha të tilla si Euro, Paund apo Dollar. Monedha me e njohur dixhitale është bitcoin, me të cilën mund të biesh në kontakt në rrjetet sociale dhe po nëpërmjet internetit mund të kryesh transaksione.

Me Projektligjin “Për Tregjet Financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” të hartuar nga :  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, synohet që këto monedha të palejuara deri më tani ti bëjë ato të ligjshme, dhe nëpërmjet tyre  t’ju jepet mundësia përdoruesve t’i përdorin si instrument pagese, në procesin e blerjes së produkteve apo shërbimeve.

Aktualisht Banka e Shqipërisë është kundër lejimit të këtyre monedhave pasi sipas saj ekziston rreziku që ato mund të shërbejnë edhe për pastrim parash të krimit e korrupsionit.