Morën rryshfet për të mos ushtruar kontrolle në disa biznese, arrestohet drejtori i Tatimeve në Korçë dhe një specialist

27 Gusht 2020, 18:16

KORÇË- Drejtori i Tatimeve në Korçë, Thoma Tontonozi dhe një specialist Stjuart Bardhoshi janë arrestuar ditën e sotme me akuzën e korrupsionit.

Një muaj hetime, të drejtuara nga SPAK kanë zbuluar skandalin dhe janë siguruar prova të shumta se Tontonozi së bashku me Bardhoshin kanë marrë ryshfet nga disa biznese për të mos kryer kontrolle për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Si prova u janë gjetur një sasi lekësh, por edhe dokumente që vërtetojnë implikimin e drejtorit dhe specialistit në këtë veprimtari korruptive. Operacioni për arrestimin e tyre është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nën drejtimin e SPAK-ut, teksa vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skandal.

Ndaj Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi rëndon akuza për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i plotë i Policisë
"Finalizohet operacioni policor i koduar "Tatimi".Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nën drejtimin e SPAK-ut. Vihen në pranga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë dhe një specialist i regjistrimit. Operacini në kuadër të procedimit penal të referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, ka referuar materialet në Prokurorinë  e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në funksion të këtij procedimi nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes, u bë i mundur finalizimi i  operacionit policor të koduar "Tatimi", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
• Th. T., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.
• S. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.