Morën ryshfet 132 mijë euro duke abuzuar me tenderët, SPAK arreston ish-drejtorin e Prokurimeve

20 Tetor 2020, 17:02

SPAK ka nxjerrë 4 urdhër-arreste për 4 zyrtarë të OSHE-së, pasi akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzim me barazinë në tendera duke favorizuar një kompani italiane duke përfituar ryshfet 132 mijë euro. 4 zyrtarët favorizuan kompaninë italiane "Com Metodi" s.p.a me seli në Milano në Itali, dhe përfituan një ryshfet që shkon deri në 132 mijë euro. Tenderi i kundërshtuar u zhvillua në vitin 2016 dhe sipas akuzës ka qenë Albana Ferraj që ka arkëtuar shumën nëpërmjet një kompanie të tretë.

Aktualisht në pranga janë vënë ish drejtori i prokurimeve të OSHEE, Elis Bushati, Athinta Papa, Irma Derhiri, ndërsa Albana Ferraj, drejtoreshë e kabinetit pranë OSHEE është ende në kërkim. Albana Ferraj akuzohet për korrupsion pasiv, ku SPAK ka dhënë ndaj saj "Arrest me Burg".

Ndaj Elis Bushatit është dhënë "arrest me burg" për shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera. Ndërsa ndaj Athinta Papa dhe Irma Derhiri, anëtare të komisionit të vlerësimit të ofertave, janë dhënë masa "arrest shtëpie" për shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera.

Urdhër arrestet nga SPAK janë dhënë nga prokurori Klodian Braho pas përgjimeve për një periudhë të gjatë kohore dhe janë vënë re shkelje në procedurave të 4 zyrtarëve.

Nga hetimet e bëra nga SPAK Elis Bshati, Athinta Papa dhe Irma Derhiri, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kryer veprimet në kundërshtim me ligjin duke favorizuar padrejtësisht kompaninë italiane "Com Metodi" s.p.a  për të përfituar shumën prej 132 mijë euro. Ndërsa Albana Ferraj, e cila në rolin e drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të kabinetit të OSHEE ka marrë dhe arkëtuar këto përfitime.

Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe kompanisë italiane duke përdorur një shoqëri të tretë me seli në Shqipëri për të  fshehur natyrën e kundraligjshme të këtyre parave që përfitoi përmes korrupsionit pasiv me kompaninë  "Com Metodi" s.p.a . Hetimet nga SPAK për këtë çështje vijojë ende.