Mori pafajësi/ Zbulohet shuma që kompensohet ish-kreu i Burgjeve

25 Shkurt 2019, 18:24

TIRANE-Ish-kreu i Burgjeve Artur Zoto pas pafajësisë fiton dëmshpërblimin. Ai qëndroi në burg 567 ditë, ndërsa Report Tv mëson se ka marrë 1.72 milionë lekë kompensim. Vendimi për dëmshpërblimin u mor nga gjykata administrative Tiranë. ReportTv siguron vendimin për dëmshpërblimin ndaj Zotos.

Ai qëndroi në qeli nga 21 shkurti 2017 deri në 19 shtator të vitit të kaluar kur u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Por si u prangos Artur Zoto? Ishte dëshmia e vartësit të tij Iliaz Labi ish numri dy i burgjeve që dërgoi në arrestimin e Zotos dhe të disa biznesmenëve të dyshuar për korrupsion. Labi deklaroi para prokurores Elisabeta Imeraj se ai kishte marrë 2 milionë lekë nga tre firma konkurruese duke i ndarë paratë me eprorin e tij Artur Zoto.

Këtë qëndrim Labi e mbajti dhe gjatë dëshmisë së tij para togave të zeza, por gjithçka e konsideruar si provë dhe dëshmi u rrëzua nga Apeli i Krimeve të Rënda, pasi shkalla e parë e dënoi me 5 vite burg. Me burg u dënua dhe Iliaz Labi po për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë 3 vite që ai duhet të kalonte në qeli u konvertuan në shërbim prove. Ndërkohë që pasi fitoi pafajësinë, Zoto kërkoi dëmshpërblim të cilin e fitoi nga gjykata.