'Mori peng kryebashkiakun e Vorës?! I akuzuari ‘rrëzon’ Berishën: Sajesë! S'jam në Shqipëri, po bëhet për të më vjedhur pronën

8 Korrik 2020, 16:47

TIRANË- Me një denoncim të qytetarit dixhital që ish-kryeministri Sali Berisha bën publik në profilin e tij në Facebook pa asnjë filtër verifikimi, një banor i Vorës, akuzohet se ka marrë peng për disa orë kryebashkiakun në detyrë, Hekuran Brahimaj.

Alfons Gjoka ka zgjedhur të kontaktojë redaksinë e Report Tv për të thënë me zë të vërtetën e tij teksa të gjithën e quan sajesë dhe intrigë për t’i vjedhur pronën në Vorë, që tashmë preket nga projekti i rindërtimit.

Gjoka thotë se ndodhet jashtë Shqipërisë,  ndërsa sipas verifikimeve të bëra nga ReportTv rezulton se për herë të fundit ai ka dalë legalisht nga vendi në tetor 2019.

“Personi që e ka marrë peng quhet Alfons Gjoka, një person i botës së krimit. Arsyeja që është marrë peng për disa orë kryetari i bashkisë është prona që preket nga projekti mafioz i narkobanditëve. Policia hesht për këtë ngjarje. Të lutem anonim se jam polic i bashkisë Vorë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

Në komunikimin me Skype me Report Tv, Alfons Gjoka thotë se nuk është kriminel, por lë të kuptohet se është në kërkim nga autoritetet dhe për këtë arsye nuk kthehet në Shqipëri.