Që prej të dielës mbi tavolinën e presidentit të republikës Ilir Meta ndodhet kërkesa e kryeministrit Edi Rama për dekretimin e gjeneral Sandër Llleshit si ministër i punëve të brendëshme.
Megjithëse kanë kaluar disa ditë nga kjo kërkesë e kryeministrit Rama, ky dekret ende nuk ka marrë firmën e kreut të shtetit.
Report Tv mëson se departamenti juridik në presidencë ka gjetur një ngërç juridik i cili konsiderohet pengesë për momentin e që ka vonuar dekretimin e Sandër Lleshit.
Ky ngërç lidhet me nenin 103 të kushtetutës ku thuhet se: “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërisë civile”.
Në të tilla kushte presidenca kërkon të dijë nëse Sandër Lleshi vijon të jetë pjesë e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë në mënyrë që mos të shkelet neni kushtetutës, që e ndalon ministrin të jetë i përfshirë në një veprimtari tjetër shtetërore.
Është pikërisht ky shkaku i hezitimit nga presidenti Meta për dekretimin e Sandër Lleshit.
Burime nga presidenca i thanë Report Tv se departamenti juridik në këtë institucion i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes për të kuptuar se cili është statusi Sandër Lleshit në forcat e armatosura. Deri në momentin e mbërritjes së përgjigjes presidenca duket se nuk do të bëjë asnjë veprim për dekretimin e Sandër Lleshit.