Mos kërkoni azil! Riatdhesohen nga Franca dhe Belgjika 34 shqiptarë

27 Shtator 2019, 14:12

Rinas - 34 shqiptarë u riatdhesuan nga Franca dhe Belgjika ku kishin shkuar për të kërkuar azil apo që kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen.

Në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian, organizuar nga Franca dhe Frontex dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 34 shqiptarë, nga të cilët 29 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.Të riatdhesuarit kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen, kishin kërkuar azil dhe kishin tentuar të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar, nëpërmjet Francës. 

"Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Ndërkohë Policia Kufitare do të vijojë me kontrollet e rrepta në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe me patrulla të shtuara në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero", njofton policia.