Mosha mesatare 60 vjeç! Koronavirusi në Shqipëri 'shqetëson' edhe 40-vjeçarët

13 Mars 2020, 14:22

TIRANË - Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë Silva Bino tha se mosha mesatare e atyre personave që kanë kërkuar shërbim për koronavirusin është mbi 40 vjeç, edhe pse mesatarja e të infektuarve në botë është 60 vjeç. Në një komunikim pyetje përgjigje në rrjetet sociale, Bino sqaroi gjendjen shëndetësore të t ëprekurve në Shqipëri dhe tha se analiza për COVID-19 nuk bëhet në spitalet private por vetëm në laboratorin e ISHP-së.

Pyetje-Përgjigje

Përgjigjet Silva Bino

Disa nga të infektuarit që janë në shtëpi pretendojnë që askush nuk merret me ata. A i kontrollon njeri?

Ata që janë të vetëkarantinuar apo të vetizoluar, sistemi shëndetësor merr kontakt me ata, nëpërmjet mjekut të familjes apo sistemit shëndetësor publik.

Cila është rregullorja e përdorimit të kiteve, a është e mundshme që të testohet çdokënd të dyshuar?

Ne testojmë ato raste të cilat kanë nevojë të testohen dhe paraqesin shenja të sëmundjes, sepse duhet të kemi parasysh se jo çdo njeri që pretendon se është i infektuar është i infektuar. Pra edhe sëmundja ka një periudhë inkubacioni dhe ka një kohë të caktuar kur virusi del, prandaj është e rëndësishme që të testojmë sipas rregullave të gjitha ato raste të cilat ne duam të kemi rezultatin që nevojitet.

A keni kite, sa kite dispononi?

Ne kemi kitet e mjaftueshme në institutin e Shëndetit publik, me të cilat mund të kryejmë testimin.

A mund të bëhen edhe në privat?

Aktualisht nuk ka laborator privat i cili teston dhe aktualisht kanë dalë shumë kitë komerciale të cilat janë vlerësuar dhe po vlerësohen por pavarësisht këtyre të gjitha testimet duhet të konfirmohen në ISHP.

Cila është mosha mesatare e njerëzve të infektuar me koronavirus?

Në përgjithësi në botë mosha e cila kërkon kujdes shëndetësorë është mosha 60 vjeç, ndërsa mosha e cila kërkon kujdes intensiv është mosha përreth 80 vjeç. Për këto pak raste që ne kemi mosha që kanë kërkuar kujdes shëndetësor është 40 vjeç e lartë, ka edhe raste midis 20-30 vjeç por kanë qenë raste sporadike.