Moti i keq/ Përmbytje në disa qytete! Ishmi del nga shtrati, izolohet një fshat! Banorët: Mbjellim prodhime e s'i korrim dot!

16 Tetor 2020, 15:37

Reshjet e shiut që "pushtuan" vendin mbrëmjen e djeshme kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë kryesore të Durrësit dhe të Lezhës. Ndërsa lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke rrezikuar fshatin Murqinë. 

Ky fshat është hera e dytë që mbulohet nga uji brenda 3 ditëve që shkak se lumi Ishëm ka dalë nga shtrati. Klodian Laska, përgjegjësi i bordit të Kullimit për Krujën i kontaktuar nga Report Tv tha se problemi qëndron tek mbeturinat që sjellin lumenjte.

I pyetur për shqetësimin e banorëve të fshatit Murqinë se kanalet kulluese nuk janë pastruar prej vitesh, Laskaj tha se "nuk është e vërtetë, pasi kanalet e këtij fshati janë pastruar më shumë se kudo tjetër në Fushë-Krujë". Sipas tij problemi qëndron tek fryrja e lumit dhe jo tek kanalet kulluese. Pavarësisht se ka prezence të madhe uji në arat dhe rrugët e fshatit, askush nuk u ka shkuar në ndihmë banorëve. Kamera e "Report Tv" sjell pamjet të situatës së rënduar në fshatin Murqinë të njësisë Bubq, ku asnjë institucion nuk i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të banorëve.

E njëjta panoramë paraqitet edhe në lagjen "Besëlidhja" në Lezhë e cila përmbytet sa herë që bie shi. Shkak është bërë mospastrimi i kanalizimeve, një problematikë e cila nuk ka gjendur ende një zgjidhje.

Edhe rrugët e qytetit të Durrësit janë mbuluar nga uji si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që ranë mbrëmjen e djeshme.