Moti i keq 'pushton' Shqipërinë/ Reshje intensive, rrufe e përmbytje! Situata në qarqet kryesore të vendit

7 Nëntor 2019, 19:18

Reshjet e shiut kanë vijuar me intensitet të lartë në të gjithë vendin tonë, duke krijuar probleme në disa qytete. Situata më problematike deri më tani është shfaqur në qarkun e Kukësit, ku si pasojë e reshjeve të dendura masive të shumta dherash janë shembur mbi rrugë. Ndërkohë në aksin rrugor Ura e Zapodit-Shishtavec i rrugës nacionale Kukës-Shishtavec një shkëmb masiv është shkëputur nga faqja e malit dhe ka ngecur buzë rrugës duke rrezikuar jetën e përdoruesve të kësaj rruge.

Ndërsa në qarkun e Lezhës nga moti i keq kanë mbetur pa energji disa zona në Zejmen. Po kështu probleme me energjinë janë hasur edhe në qarkun e Gjirokastrës. Ndërsa në qytetin e Durrësit ku ditën  e djeshme situata ishte shumë rëndë si pasojë e përmbytjeve të rrugëve, uji është tërhequr dhe qyteti është kthyer në normalitet.