Moti i ngrohtë i dhjetorit shtyn shtegtimin e flamingove dhe pelikanëve kaçurrel, dhurojnë spektakël në Kune-Vain

8 Dhjetor 2020, 17:50

LEZHË- Magjepse na shfaqet laguna e Kune-Vainit në Lezhë. Ky është spektakli i dhjetorit që të dhurojnë flamingot, pelikanët kaçurrelë e zogj të tjerë ujor në lagunën e Kune-Vainit.

Flamingot janë zogj migratorë qe vijnë në lagunë gjatë vjeshtës por për shkak të klimës së butë dhe ushqimit të bollshëm duket se po qëndrojnë më gjatë.

Në bazë të censusit të fundit, laguna e Kune-Vainit numëron 196 lloje shpendësh.

 “Laguna e Kune-Vainit ka 196 lloje shpendësh, 59 janë të përhershëm, 65 janë dimëronjës, 51 janë veronjës dhe 21 aksidental. Janë çafkat  të disa llojeve, pelikanët një specie e shtuar këtë vit edhe pse jemi në kushte të vështira pandemie, natyra ka vazhduar ciklin e saj jetësor. Kemi një shtim të numrit të shpendëve, kjo është një tregues i mirë për çetësinë në lagunë e kjo vjen si rezultat jo vetëm i punës së stafit, por edhe bashkëpunimit me komunitetin”, tha  Besiona Simoni përfaqësuese e ADZM-së në Lezhë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Lezhë u kërkon vizitoreve që të respektojnë ligjet e natyres gjatë vizitave në laguna.

 “Laguna e Kune- Vainit ka një sipërfaqe prej 4393 hektarësh, është një sistem ligatinash i përbërë nga zajet, ceka, mergjani. Ajo ka dhe një rol vital në zhvillimin e cilklit të ujëkëmbimit si dhe kontribuon  rëmdësishëm në rigjenerimin e mjedisit. Ne u kërkojmë qytetarëve të respektojnë ligjet e natyrës,domethënë  të përdorin sa më shumë biçikletat, të mos hedhin mbeturina, po t’i marrin me vete,  të mos ndezin zjarre jashtë zonave të caktuara, të vëzhgojnë por  të mos shqetësojnë apo të mos krijojnë zhurma për shpendët dhe vizitorët e tjerë”, tha Simoni.