Muaji shtator shënoi një tjetër përmbytje për banorët në zonën e Krujës. Uji dëmtoi dhjetëra banesa

27 Tetor 2019, 16:11

Banorët e zonës së Bilajt në Krujë ankohen se nuk kanë marrë dëmshpërblim nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Fshatrat e Krujës vazhdimisht gjatë 30 viteve të fundit përmbyten çdo vit, madje në disa zona kemi përmbytje 4 ose 5 herë në një vit.

Përmbytja e fundit ishte në shtator të 2019 dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në zonën e Bilajt dhe në fshatra të tjerë përreth. Por sipas banorëve ende nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e situatës dhe asnjë dëmshpërblim nga shteti. Uji ka vërshuar në dhjetra banesa duke nxjerrë jashtë përdorimit të gjitha orenditë shtëpiake. Banorët shprehen se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në tokat bujqësore. Uji ka shkatërruar prodhimet bujqësore dhe në disa raste ka sjellë dhe dëme në bagëti. Banorët thonë se edhe pse përmbytemi çdo vit kanalet ende vijojnë të mos pastrohen.

"Përmbytjet vijnë nga liqenet që hapin atje edhe kanalet e pa pastruara. Nuk ka ardhur askush. Asnjë shpërblim, por nuk ka pyetur askush. Ndërtime pa leje sipër kanaleve kulluese" thanë ata.

Në prag të rikthimit të reshjeve banorët ndjehen më të rrezikuar ndaj dhe kërkojnë ndërhyje emergjente. Shkak I përmbytjeve mbeten dhe ndërtimet pa leje mbi kanale e kolektore.