'Mud Run', gara që vë në provë trupin, mendjen dhe shpirtin

8 Prill 2019, 10:51

Në Tel Aviv, qyteti i dytë më i madh i Izraelit, më shumë se 10 000 njerëz morën pjesë në garën e përvitshme  të vrapimit mbi baltë. “Mud Run” është gara që vë në provë trupin, mendjen dhe shpirtin, që e çon njeriun në limite dhe e bën të kuptojë se mund t'ia dalë.

Gara me 18 pengesa artificiale u zhvillua në Yarkon Park, në një terren të lagësht dhe me baltë, në tre pista: 10 km, 5 km dhe 2 km. Në pistën 10 km të gjatë, të rriturit duhet të kapërcejnë kodra balte, kanale, mure, pishina akulli dhe shumë më tepër. Në parkun e Tel Avivit ishte menduar që edhe fëmijët 9 vjeçar dhe familjarët e tyre, të ishin pjesë e garës, në pistën 2 km e gjatë dhe e dedikuar vetëm për ta.

Pjesëmarrja në “Mud Run” është traditë e hershme në kontinentin e vjetër dhe pëlqehet gjithnjë e më shumë. Praktikimi i këtij lloj sporti nënkupton vendosjen e një qëllimi sfidues që varet nga aftësia për të interpretuar realitetin dhe për të gjetur zgjidhje.

Përballimi i këtyre sfidave jo vetëm që aktivizon sistemin konjinitiv dhe muskulor, por ai forcon aftësinë për të qenë më të motivuar, për të menaxhuar ndryshimet, për të bërë zgjedhje më të mira dhe për të balancuar instinktin dhe arsyen./Përgatiti Ilir Çuçi