Speciale/ Zerqani pjesë e 100 fshatrave turistikë, por mungesa e nxënësve kyç shkollën 127-vjeçare! Kryeplaku: Nuk ka asnjë investim

4 Gusht 2020, 21:22 | Përditesimi i fundit: 2020-08-05 16:37:43

 

Ky është fshati Zerqan në Bashkinë e Bulqizës. Pak kush e di që këtu flenë histori disa shekullore mbi dijen e kulturën, traditat dhe emancipimin. Ky është një prej 100 fshatrave turistikë , të përzgjedhur pikërisht për të mos lënë në harresë Zerqanin që në dokumentet historike mesjetare në vitin 1273 krahina në fjalë njihet me emrin “Tamadia” dhe fshati Zerqan, Zirclan që e përkthyer nga latinishtja do të thotë Vend i artë.Një tjetër ngjarje e rëndësishme për këtë komunë është data 10 maj e vitit 1910 kur u hap shkolla e parë e cila kishte si staf pedagogjik 18 mësues, dhe si ndërtesë, shtëpinë e një fshatari. Kjo është një ndër 10 Abetaret Shqipe, që u sollën nga Stambolli në fshatin Zerqan. Historia e shkollimit të banorëve ka vijuar me hapje e mbyllje sipas situatave të kohës, por ajo që vlen të veçohet është hapja edhe e një shkolle posaçërisht për femrat. Që një shekull e gjysmë më parë, banorët e Zerqanit ishin arsim dashës.