Mungesa e tokës për varrezat në Durrës, shtohen rastet kur burrë e grua futen në një varr

15 Shkurt 2021, 21:33

Burrë e grua në një varr. Kjo metodë vitet e fundit po njeh një rritje të madhe në qytetin e Durrësit. Numri i varreve të përbashkëta në të dyja varrezat, tek të vjetrat dhe të rejat janë shtuar ndjeshëm. Shkak është bërë mungesa e hapësirës por edhe amaneti i të ndjerëve për tu varrosur me të afërmit.

Sipas teknikut të varrezave, Agron Sadikllari, që merret edhe me transferimin e varrezave, ky nuk është një fenomen i ri por ka ndodhur edhe para viteve '90, ndërsa e gjithë procedura bëhet në prani të familjarëve të të ndjerëve.

Nuk është fenomen i ri. Ka vite. Trashëgohet. Bëhet varr mbi varr, ose bëhet në varr të përbashkët. Ka procedurë. Vijnë familjarët që kanë të ndjerën dhe të ndjerin. ne marrim masën. Organizojnë punën. Gjithmonë me familjarët prezent. Lihet amanet ose me dëshirën e familjarëve që mos ti kenë në distancë. Nuk duan ti kenë larg njëri tjetrit për të bërë ritet. preferojnë që ti kenë në një vend", u shpreh  teknik i varrezave, Agron Sadikllari.

Ndërsa Myftiu i Durrësit Redian Quku sqaron se feja islame e lejon vendosjen në një varr të familjarëve, por duhet të plotësohen disa kushte sikurse janë dekompozimi 100 % i trupit që do të zhvendoset, formacioni i tokës ta lejojë një fenomen të tillë si dhe të jenë njerëz të një gjaku.