Murrizi: Opozita e bashkuar të dërgojë kërkesën tek ODIHR vetëm me firmën e vetë! Nuk garoj në koalicion me asnjë prej tyre

1 Tetor 2020, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2020-10-01 13:51:57

Deputeti i opozitës parlamentare Myslym Murrizi vendoi të lërë mbledhjen e këshillit politik. Në një prononcim për mediat ai u shpreh se ngërçi vijon mes palëve të cilët nuk kanë rënë në një mendje për t'iu drejtuar ODIHR. Ai tha se gjatë kësaj kohe, u diskutua vetëm për 20 minuta. Për Murrizin e gjithë kjo përpjekje për t'iu drejtuar ODIHR është veçse një shoë politik.

"E di që po ju bëj të prisni. Prej dy orësh aty u diskutua 20 minuta. U ka ngecur sharra në gozhdë të dy palëve. Damiani është bërë pishman që kaloi në 30 korrik. Listat e hapura dhe propozimi i kandidatëve janë të sanksionuara në kushtetutë dhe nuk ndryshohen nga ky këshill. Prandaj ika. Po zihen për një letër për ta firmosur për t'iu drejtuar ODIHR. Kërkesa e tyre është show" - tha Murrizi.

Ndërkohë deputeti u shpreh se ka pasur kontakte me përfaqësues të OSBE-së ku sipas tij, ai i ka thënë se letra duhet të shkojë në poloni dhe nuk ka një normë se sa firma duhet të ketë kjo letër.

"Kontaktova me një përfaqësues të OSBE tha se letra duhet ti shkojë në poloni dhe tha se nuk ka një normë se sa firma duhet të ketë kjo letër. Rama është në kryesi të OSBE/ ODIHR ndaj mazhoranca do e ketë më të lehtë që t'iu drejtohet atyre." - tha Murrizi.