Deputeti Mylsim Murrizi tha se nuk është i bindur për të votuar në Kuvend aktin normativ Anti - KÇK, pasi e quan propagandë të qeverisë. Ai tha se është kundër që takimet mes prokurorit të Përgjithshëm, prokurorit të SPAK, SHISH e institucioneve të rëndësishme t'i drejtojë ministri i Brendshëm. Ai tha se me angazhimin e këtyre institucioneve në luftën e pasurive të dyshuara të ardhura nga bota e krimit, SPAK nuk do të ketë mundësinë të merret me të konsideruar peshqit e mëdhenj. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu përgjigj duke thënë se është një sistem i tërë i drejtësisë që merret me "peshqit e mëdhenj" dhe se OFL është e orientuar në parandalimin e krimit dhe goditjen e pasurive të tyre.
Myslim Murrizi: Është nismë e kryeministrit, jo e ministrit. Dhe e filloi me ndërtimet pa leje, se çfarë lidhje kanë ndërtimet pa leje nuk e mora vesh. E keni përdorur për propagandë, për të bërë diversitet në politikë, që ju jeni të mirët e doni të luftoni kriminelët, dhe ata që nuk e duan për arsye të ndryshme, janë të këqinj dhe kanë qejf të mbrojnë kriminelët. Kjo është propagandë siç keni bërë në 7 vite që në 2013-ën kur i premtuat shqiptarëve parajsën. Unë do të shtroja disa pyetje. Së pari, ky është një akt normativ që nuk e di çfarë emergjence kishit me drita ndezur! Na e sollët mbas 36 ditësh në limitet e asaj që thotë kushtetuta. 5 ditë kur kuvendi ishte i mbledhur duhet të kishte ardhur këtu. Nuk e di se çfarë ju shkrepi në kokë si rrufe në qiell të pastër, se krimi qenka ngritur në këmbë më 31 janar dhe ju i mësytë me kokë të lyer me bojë, me kokë çorape, me syze prada, nuk latë gjë pa nxjerr me idenë që ju të bëni namin. Çfarë nami të bëni ju? Pardje të vranë dy veta në Durrës, vriten përditë në mes të Lushnjes, Durrësit, Elbasanit, në bllok. Çfarë bën kjo OFL? E nisi me vrull ky ish-ministri para teje, e stonoi se i erdhi në derë të shtëpisë OFL-ja, u mek. A ishin me letra automjetet e blinduara, a kanë hyrë nëpërmjet pikave foganore, kush ia ka dhënë lejen për të mbajtur mjete të blinduara? A keni ju ndodnjë evidencë për përgjegjësit që i kanë lejuar këto mjete të blinduara? Vetë keni mjet të blinduar ju zoti ministër? Keni pajisur me mjet të blinduar lloj lloj halabaku në këtë vend se i keni përdorur për të marrë vota dhe për t'i bërë presion votuesit të vini në këtë karrige. Ky akt, fakti që kërkon shumicë të thjeshtë, bie në kundërshti me konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat.