Murrizi-Denajt: Çdo shqiptar 3000 euro borxh për frymë

4 Nëntor 2019, 14:09 | Përditesimi i fundit: 2019-11-04 14:09:42

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj shpjegoi nga foltorja e Kuvendit në seancën e sotme plenare aktin normativ të buxhetit me ndryshimet që do të rrjedhin nga rishpërndarja e fondeve te ministritë. Denaj u shpreh se ngadalësimi ekonomik ka bërë që të korrigjojmë edhe ritmin e rritjes ekonomike të këtij viti në 3.4%. "Sigurisht kjo do të sjellë një efekt negativ edhe në nivelin e të ardhurave ndaj parashikimit. Në vitet e fundit borxhi publik neto është reduktuar nga niveli më i lartë prej 71.9%  i regjistruar në vitin 2015. Në 64% i pritshëm për vitin 2019" tha ajo.

Por ku po shkojnë fondet që janë rishpërndarë nga akti normativ? Ministrja tha se ndër të tjera u alokuan burimet e nevojshme shtesë njerëzore dhe financiare për disa institucione të reja të vetingut dhe konkretisht SPAK dhe Byroja e Hetimit. "Ky akt normativ alokoi burimet e nevojshme shtesë njerëzore dhe financiare për disa institucione të reja të Vetingut dhe konkretisht SPAK dhe Byroja e Hetimit, kemi akomoduar organikën e re prej 100 punonjës shtesë dhe një buxhet total prej 66 milionë lekë shtesë.Por shlyerja e detyrimeve të detyrimeve të prapambetura është gjëja e parë që duhet të bëjë çdo bashki" përfundoi ajo.  Me ministren për Aktin Normativ replikoi deputeti opozitar Myslim Murrizi duke u ndalur te borxhi publik. “Borxhi publik shkon 69.9% dhe jo 67.1%, pra është rreth 2.9% më i lartë nga ai i deklaruar nga qeveria. I bie që shqiptarët të kenë sot rreth 10 miliardë euro borxh ose nga 3000 euro borxh për frymë” tha Murrizi. “Nuk na thuhet se kujt po i hiqen konkretisht fondet. Pra kujt i ishin planifikuar rreth 25-26 milionë euro që do ti jepnit më parë, nga lëvizin këto para që ishin planifikuar për x ministri dhe që po i shpërndani sot” u shpreh Murrizi.