Mustafa për Report Tv: Imazhi i Kosovës dëmtohet nëse s'qartësohen akuzat për 4 ish- drejtuesit e UÇK-së!

10 Dhjetor 2020, 22:40 | Përditesimi: 10 Dhjetor 2020, 22:41

Suada  Mehmetaj: Jemi sot në Prishtinë, në selinë e Lidhjes Demokratike të   Kosovës, me kryetarin e saj zotin Isa Mustafa. Zoti Mustafa, faleminderit që pranuat të jepnit këtë intervistë për Report TV.

Isa Mustafa: Mirë se keni ardhur!

Suada  Mehmetaj:  Si ka qenë viti 2020 për Kosovën në përgjithësi, në aspektin politik dhe në aspektin e njerëzve? Si ka kaluar ky vit?

Isa Mustafa: Mendoj se në aspektin politik ka qenë një vit mjaft i ngarkuar, i dendur, me shumë ngjarje politike, me kolicione, me prishje të koalicioneve, me një qeveri dhe pastaj me qeverinë tjetër. Mirëpo kemi arritur që ta vëmë në binarë këtë çështje. Qeveria po funksionon edhe pse është në marrëzinë e shumicës në Kuvend, kemi po ashtu probleme lidhur edhe me funksionimin e Kuvendit sepse kanë mbetur shumë çështje që janë hapur përpara dhe nuk po arrijnë të mbyllen në seancat e Kuvendit. Kemi një ngecje, siç duket, të 20 seancave të pambyllura të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kësaj i është shtuar edhe problemi i Covid-19, sepse kemi një rritje tani edhe të rasteve të infektimit, por kemi edhe rritje të rasteve fatale, por po bëjmë të gjitha përpjekjet që të menaxhohet kjo situatë dhe shpresoj se do ta tejkalojmë edhe këtë situatë që kemi.

Suada  Mehmetaj: Zoti Mustafa, dua të qëndroj pak te qeverisja. Qeveria Hoti, këta muajt e fundit, ka pasur përballje me sfida të ndryshme dhe së fundi, çështja për legjitimitetin e saj aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Vetëvendosja kërkon që të hiqet vota e deputetit Arifi dhe njëfarë forme. A mendoni se kjo gjë e cenon pozitën e qeverisë Hoti? A mund të kemi një ndryshim të situatës?

Isa Mustafa: Po tani mua më vjen vështirë që në këto momente të flas për atë që pritet të gjykojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në mënyrë që kjo të mos kuptohet si ndërhyrje në këtë proces sepse pritet që për disa ditë të dalë gjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Ka qenë para disa ditësh një takim, një shqyrtim publik i Gjykatës Kushtetuese me palët, edhe të atyre që janë ankuar pranë Gjykatës Kushtetuese, të qeverisë, të Kuvendit. Janë dhënë opinione të ndryshme. Unë mendoj se opinionet e qeverisë kanë qenë të arsyeshme dhe unë shpresoj që kjo nuk do të jetë shkak ose shkas që të bjerë qeveria e të kthehemi edhe njëherë në pozitën fillestare.

b.ha./Shqiptarja.com