Muzika që bashkon, Ermal Meta këndon “Hallelujah” të Leonard Cohen

2 Prill 2020, 14:08

Muzika që bashkon. Ermal Meta gjatë kësaj periudhe vetizolimi këndon këngën “Hallelujah” të Leonard Cohen. E konsideruar si një nga perlat muzikore më të njohura, kësaj here artisti Ermal Meta e interpreton këngën për të mbledhur fonde, që do të shkojnë për mbrojtjen civile në Itali.

Ermal Meta interpreton një version intensiv dhe të frymëzuar, në piano dhe bas të dyfishtë, këngën e klasikut të madh ndërkombëtar, “Hallelujah” të Leonard Cohen. "Është një moment shumë i vështirë ky që po kalojmë. Ne po mësojmë të jemi të bashkuar duke qenë larg edhe të shqetësohemi për të tjerët para vetes. I dinim këto gjëra, por tani po e shohim botën ndryshe. Faleminderit të gjithë mjekëve, infermierëve, mbrojtjes civile dhe të gjithë atyre që janë në vijën e parë: duhet të bëjmë një gjë shumë të thjeshtë, të ndjekim udhëzimet e qeverisë për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë”, thotë Ermal Meta “Radioitalia”

“Hallelujah” është një këngë që kantautori Leonard Cohen e kompozoi për albumin e vitit 1984, “Various Positions”, por që është bërë shumë e famshme, edhe me interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëtarit të ndjerë amerikan Jeff Buckley.