Muzikë të lartë nëpër lokale në Durrës, procedohen 2 DJ, një menaxher hoteli dhe një pronar resorti

10 Korrik 2020, 10:47

Në Durrës ka nisur hetimi për 4 persona, pasi akuzohen për prishje të qetësisë publike, duke kundërshtuar Aktin Normativ që parashikon parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Policia thotë se janë proceduar dy DJ, një pronar resorti dhe një menaxher hoteli.

Njoftimi i policisë
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve ndaj subjekteve që nuk respektojnë protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijojnë aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në lagjen nr. 13, te Shkëmbi i Kavajës, kanë konstatuar dy lokale që kishin vendosur muzikë të lartë, tej normave të lejuara.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit: M. S., 32 vjeç dhe V. L., 45 vjeç, banues në Durrës, DeeJay dhe pronar i një resorti në lagjen nr. 13, te Shkëmbi i Kavajës, pasi kishin vendosur muzikë të lartë;

E. P., 31 vjeç dhe S. L., banues në Durrës, DeeJay dhe menaxher i një hoteli, në lagjen nr. 13, te Shkëmbi i Kavajës, pasi kishin vendosur muzikë të lartë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtyre lokaleve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.