Nafta pa taksa/ Milva Ekonomi: Fermerët e përfitojnë deri më 30 nëntor, afati u shty pasi kishte interesim

4 Mars 2021, 14:35

Nafta pa taksa mund të tërhiqet pranë pikave të karburanteve deri më 30 nëntor 2021. Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi tha se pavarësisht se fermerët mund të aplikojnë tani për karburantin, ata kanë të drejtë ta tërheqin atë në momentin që e kanë të nevojshme. Fermerët që do të aplikojnë për të marrë naftën të çliruara nga tre taksat, dhe janë shpallur përfitues, do ta tërheqin atë deri më 30 nëntor të këtij viti.

“Njoftohet fermeri që përfiton kartën dhe shkon e tërheq nëpërmjet një procesverbali të thjeshtë, dhe tërheq kartën në zyrën e AREB-it, dhe më këtë kartë ai mund të tërheq në çdo pikë karburanti pranë njësisë së vetë, dhe mund ta merrni deri në 30 nëntor. Skema nuk ju detyron që të keni paguar taksën mbi pronën, apo të keni paguar sigurimet shoqërore”, u shpreh Ekonomi.

Ekonomi sqaroi edhe arsyet e shtyrjes së afatit për aplikim për naftë pa taksa deri në fund të këtij muaji.

“Në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ishin të regjistruar 47 mijë NIPT-e dhe në momentin kur bën aplikimin e naftës ribënë kërkesën për aktivizim. Dhe ne na erdhën rreth 6200 kërkesa për ri-aplikime. Ndryshimi tjetër ishte me krijimin e një statusi të ri në aplikim, i cili kishte të bënte me deklarimin e sipërfaqes së tokës nga personat që e kanë dhënë me qira, dhe duke vënë numrin e parcelës aktive”, tha ministrja.

Ministrja ka folur edhe për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, duke thënë se është ulur raporti midis eksport import. Sipas saj tani vendi 1 eksporton dhe 2.3 importon.