FIER- 45 ditë sakrificë u shpërblyen dhe në fund të takimin me kryeministrin Edi Rama, naftëtarët dolën të kënaqur. Ato kanë rënë dakord që të marrin një pagë prej 40 mijë lekësh për 1 vit si edhe do u paguhen edhe sigurimet shoqërore përgjatë 12 muajve.
Kreu i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj në përfundim të takimit me kreun e qeverisë që zgjati rreth një orë tha se kërkuan një mirëkuptim nga ana e qeverisë që të merrnin nga dy paga përnjëherësh për këto dy muaj pasi gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë. Në total përfitojnë 870 naftëtarë, që kanë qenë të regjistruar në bordero në muajin dhjetor të vitit 2019.
Kryeministri Edi Rama tha se ky ishte një vendim jo i lehtë për kohën që po jetojmë, por i bindur se ishte i duhuri. Ai shtoi se është në bisedime me tre kompani të mëdha për të rivënë në punë rafinerinë e Ballshit, por zgjodhi që të mos japë emra si edhe një kohë se kur kjo do të ndodhë.
Këto para do të jepen nga buxheti i shtetit, që kap shifrën prej 580.2 milionë lekë.
