Ndahen çmimet prestigjoze Pulitzer, vlerësim dy gazetarëve të burgosur në Myanmar

16 Prill 2019, 17:43

Në Nju Jork të SHBA-së janë shpallur pasditen e së hënës fituesit e çmimit Pulitzer. Një nga çmimet me prestigjioze në botën e medias dhe një nga vlerësimet më të larta që mund t'i jepet një gazetari. Çmimet u dhanë në 14 kategori apo zhanera të gazetarisë që nga raportimi investigativ, ai kritik dhe deri tek fotografia për lajmin e fundit.

Pulitzer janë dhënë edhe për zhanera të dramës, poezisë dhe muzikës. Këtë vit u dhanë gjithashtu edhe dy çmime të veçanta Pulitzer, i pari për redaksinë e gazetës Capital në Annapolis të Maryland-it, për mbulimin kurajoz të lajmit për të shtënat me armë në newsroom-in e kësaj gazete, nga ku 5 gazetarë prej stafit mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën nga një person i armatosur. Ngjarja në Qershor 2018 tronditi SHBA si një nga krimet më të rënda ndaj gazetarëve në historinë e Amerikës. Ndërsa redaksia demonstroi përkushtim të palëkundur duke raportuar për tragjedinë edhe pse në momente të vështira pikëllimi.