Ndalimi i makinave të vjetra, Marika: Afat deri në 1 mars 2019 për regjistrimin e automjeteve të importuara

4 Dhjetor 2018, 18:51

Prej dy ditësh në pikat doganore nuk është lejuar të hyjë asnjë makinë e prodhuar para vitit 2009. Sipas ligjit të hyrë në fuqi prej së dielës, autoveturat duhet të përmbushin “normën 4” sipas emetimit të gazrave, standard ky i vendosur nga Bashkimi Evropain. Report Tv kontaktoi me Drejtoreshën e Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, Klodiana Marika, e cila theksoi se afati për të rregjistruar dhe targuar makinat e importuara përpara këtij vendimi kanë afat deri më 1 mars 2019.

Nga ana tjetër, tregtarët e kundëeshtojnë këtë vendim, si të palogjikshëm. Sipas tyre, kjo ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në çmimet tregut pasi jo çdokush ka mundësinë të marrë një makinë të prodhuar pas vitit 2009-të. 

Ligji në fjalë nuk gjen zbatim për makinat antike, të cilat janë të papërdorshme. Sipas të dhënave, rreth 60% e ndotjes së ajrit vjen nga gazrat e makinave. Ndërkohë që mosha mesatare e rreth 600 mijë automjeteve është nga 15 në 20 vite.