'Ndalni krimin, ndalni armët', shkodranët marshim për paqen pas ngjarjeve kriminale

7 Shtator 2018, 20:19 | Përditesimi i fundit: 2018-09-07 21:30:27

Janë bërë bashkë komunitetet fetare dhe partitë politike. Qindra qytetarë shkodranë marshuan mbrëmjen e sotme në sheshin "Nënë Tereza" në Shkodër për paqe pas ngjarjeve të fundit kriminale që kanë tronditur kryeqendrën e veriut. 

Në këtë marshim kanë marrë pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, deputetë të forcave politike të maxhorancës dhe opozitës si dhe qindra qytetarë me pankarta në duar "Ndalni krimin, ndalni armët". Shkodra është goditur jo pak muajt e fundit nga atentate të përgjakshme, ku vetëm në dy muaj janë ekzekutuar gjashtë persona, ndërsa rastet nuk janë zbardhur nga autoritetet. Shkodranët luten dhe bëjnë thirrje për paqe në mënyrë që këto ngjarje të mos përsëritën më në të ardhmen.  

Në këtë linjë ishte edhe thirrja e Angelo Massafras, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i cili i bëri thirrje familjeve shqiptare që të edukojnë fëmijët e tyre kah e mira. Massafra tha se paratë e siguruara nga droga dhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme janë para të mallkuara.

Shkodrani ka dëshirë, vullnet, për të punuar dhe për qetësi. Kjo është një thirrje për të vazhduar këtë rrugë, të të mirës, të paqes, ne krerët e fesë jemi për paqe dhe mirëkuptim. Ju prindërit duhet t'i edukoni fëmijët. Si është e mundur që një adoleshent të vrasë shokune  tij me thikë? Ju prindërit keni borxh që të edukoni fëmijët, nuk mund t'i përgjigjesh me thikë. Të gjithë të angazhohemi për të bërë të mirën. Parët e drogës dhe paret që vijnë nga të këqijat, janë para të mallkuara. Zoti është drejtësi, edhe ai do tí ndëshkojë gjërat, ndëshkimi më i madh është kur nuk kemi qetësi. Të largohemi nga e keqja. 

Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë