Ndarja në 4 rajone/ Meta del kundër, kthen ligjin në Kuvend: Shkel kushtetutën

14 Gusht 2020, 13:18

TIRANË- Presidenti Meta kthen në kuvend ligjin për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin që propozon ndarjen e vendit në 4 rajone. Sipas presidentit ky ligj i propozuar nga zëvendës kryeministri Erjon Braçe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shkel parimin e decentralizimit të pushtetit vendor.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

Ky ligj, me përmbajtjen e miratuar, nuk mund të bëhet kurrsesi pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

Ligji nr. 102/2020, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, bie hapur ndesh: 
-me disa dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, 
-me parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar dhe 
-ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës).

Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta.

Një ndarje e tillë në rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave përcaktohen sipas nenit 4, nga Këshilli i Ministrave, në mungesë konsultimi me banorët e secilës zonë, ka ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona, duke krijuar një ndarje të re, të cilën Kushtetuta nuk e njeh.