Ndërmarrja e re e mirëmbajtjes së rrjetit të gazit në Fier, Rama: Do ulë kostot e energjisë!

8 Tetor 2020, 14:45 | Përditesimi i fundit: 2020-10-08 17:27:09

Nga ndërmarrja e re e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit në Fier, ndërtuar sipas modeleve industriale të SNAM, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shtrirja e rrjetit të gazit do të ulë kostot e energjisë.

Në këtë qendër do të jenë 36 të rinj e të reja, të përzgjedhur përmes një procesi transparent dhe të trainuar në Shqipëri e në Itali.

"Dëshiroj që t'i shpreh mirëseardhjen edhe miqve tanë, zv ambasadorit dhe të tjerëve në këtë vatër të re të dijes dhe të punës, ku siç e tha edhe ministrja falë një procesi shumë të mirëorganizuar janë përfshirë 36 të reja dhe të rinj, studentë të cilët kanë kryer universitetin dhe tanimë janë në frontin e punës në një fushë që është e gjitha për tu zhvilluar në Shqipëri.

Nuk dua të marr shumë kohë sepse dua të dëgjoj nga ju. Jemi në një fazë shumë interesante. Falë një risie të mirëseardhur që lidhet me planin e madh të zhvillimit të rajonit tonë me mbështetje masive, financiare nga BE, ku 1 nga 3 shtyllat e planit është pikërisht zhvillimi i sektorit të energjisë me prioritet investimet në të cilat edhe investimi në fushën e gazit.

Ky investim në fushën e gazit në rajonin tonë lidhet me Shqipërinë. Shqipëria siç dëshmon edhe prania juaj këtu ka një dispozicion një aset shumë të vyer që është gazsjellësi trans adriatik prej të cilit synojmë dhe synimi merr një formë konkrete", tha Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama deklaroi se një objektiv tjetër është të ndërtohet dhe gaz-sjellësi Adritiko- Jonian.

"Besoj që ju e keni dëgjuar që objektivi ynë është që së bashku me disa vende të tjera të rajonit të ndërtojmë dhe gazsjellësin adritiko jonian. Ai është një ndryshim i madh në  hapësirën ku ne jetojmë dhe sot me planin e madh të BE është një mundësi reale siçc është një mundësi reale shtrirja e rrjetit të furnizimit me gaz në territor për familjet dhe bizneset.