Ndërtimi i Spitalit të Fierit, Rama - kompanisë: T'u ofrohet punësim në kantier pronarëve të tokave

22 Janar 2021, 14:11 | Përditesimi: 22 Janar 2021, 14:11

Edhe pse në ditë me shi, vijon puna për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Fierit. Këtë të premte ka shkuar kryeministri Edi Rama për të inspektuar punimet. Dhjetra makineri po punojnë për përgatitjen e terrenit ku do të ngrihen themelin e spitalit.

Kryeministri i është drejtuar me një kërkesë kompanisë turke që të punësojë pronarët e tokës në këtë kantier ndërtimi. Rama i drejtohet përfaqësuesit të kompanisë që të kontaktojë familjet e shpronësuara e për t’u ofruar atyre çfarëdo pozicion pune në kantier.

Unë kam një kërkesë që atyre familjeve që janë faktikisht shpronësuar dhe me mirëkuptim, duhet t’i takosh dhe që nga ai zotëria që unë fola ato ditë dhe ta zotërinjtë e tjerë t’i ofroni mundësinë që të punojnë këtu, në çfarëdo lloj pozicioni që mund të punojnë, duke pasur parasysh aftësitë e tyre dhe duke pasur parasysh nevojën e tyre që të jenë të përfshirë këtu, që nga roje kantierit deri tek punëtorë e teknik. Nuk e di çfarë aftësisht kanë, por unë do doja t’i kontaktosh sot e t’u thuash që të japin të dhënat e tyre  dhe të flisni me kompaninë dhe mundësisht të jepni mundësinë që të përfshihen. Nëse duan apo nuk duan është temë tjetër”, - u shpreh Rama.

Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se ky spital do të përfshijë të gjithë shërbimet ku do të përfshihet dhe një pacion për pacientët me COVID.

b.ha./Shqiptarja.com