Ndikimi i tërmetit në turizëm, Vathi: Qeveria duhet të marrë masa! Shengeni Ballkanik mundësi e artë

16 Janar 2020, 17:28

Tërmeti i 26 nëntorit ka lënë gjurmë të mëdha në vitin 2019, dhe që pritet ta shoqërojnë vendin edhe për një periudhë 3 ose 4 vjeçare. Një nga sektorët që u ndikua më së shumti ishte edhe industria e turizmit pasi pati anulime fluturimesh për shkak të situatës së krijuar. Por për operatorin turistik Besnik Vathi ndikimi në muajin dhjetor është shumë më i vogël, krahasuar me pasojat që mund të ketë vendi nëse nuk  merren masat e nevojshme.

Pasoja e parë, dhjetori them, nuk pati rëndësi, pasi muaji dhjetor është i parëndësishëm, ndërsa pasojat që do të ketë në sezonin e ardhshëm gjithnjë nëse nuk do të merren masa nga qeveria  pasojat do të jenë shumë të mëdha  në turizmin shqiptar. Pasojat më të mëdha janë edhe në Durrësin si destinacion por edhe në imazhin e vendit në përgjithësi”, u shpreh për Report TV, operatori turistik Besnik Vathi.

Për Vathin viti 2020 do të ketë vështirësi por priten më shumë turistë. Sipas tij hap shumë pozitiv është minishengeni ballkanik.

Aplikimi i Minishengenit do të ishte një sukses dhe një mundësi e jashtëzakonshme për rritjen e turizmit në vendin tonë. Do të ishte e mundur që vetëm me një vizë të vizitohej i tërë rajoni. Duke shtuar këtu edhe lehtësimet e mëdha me heqjen e pikave kufitare”, tha Vathi.

Ndërkohë pak ditë më parë u zhvillua edhe samiti” Turizëm për solidaritet dhe qëndrueshmëri” i organizuar si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, për të dhënë mesazhin se ky sektor në vendin tonë është më i konsoliduar se kurrë. Sipas ministrisë së Turizmit numri i turistëve në 2019, ishte në shifrën e 6 milionëve.