Sot kryeqyteti mban frymën, luhet derbi Tirana-Partizani në një “Selman Stërmasi” që do jetë i mbushur plot e përplot ku rreth 1600 pritet të jenë tifozë të kuq. Një derbi që luhet për pasion , prestigj dhe titull ku pas një mungese prej 5 vitesh me fitoren ndoshta ka ardhur koha që të triumfojë edhe Tirana.
Këtë shpreson të paktën trajneri Ardian Mema.
Bardheblutë vijnë në një formë shumë të mirë edhe pse diferenca me Partizanin në klasifikim është prej 21 pikësh. Në formacionin e Memës priten edhe surpriza por treshja e sulmit është e sigurt me Hasanin, Grecën dhe Ngo në majë.Me formacionin më të mirë do zbresi në fushë edhe Partizani kryesues ku Trashin e pezulluar pritet ta zëvendësojë Idrizaj. Atanda do luajë sërish në mesfushë ndërsa në sulm do jetë artileria e rëndë Asani, Mensah, Mala dhe Bardhi.
Skënder Gega trajneri i të kuqve nuk bën llogari dhe do fitoren.
Ky i ditës së sotme i orës 18:00 është derbi numër 152. Deri tani kemi një bilanc prej 40 fitoresh për Tiranën, 47 takime janë mbyllur në barazim dhe 64 i ka fituar Parizani.
Tirana-Partizani do luhet si në “Big Brother” ku stadiumi do jetë i blinduar prej policisë dhe kamerave të sigurisë. Megjithatë një gjë është e sigurt në një Tirana-Partizani spektakli i tifozëve nuk mungon.