Ndoka: Marrëveshja Rama-Basha donte të godiste LSI-në! Ndaj liderit demokrat kam kritikat e mia

12 Mars 2019, 18:27 | Përditesimi i fundit: 2019-03-12 19:06:46

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ishte ditën e sotmë në Report Tv, në emisionin 45 Minuta me gazetarin Denis Minga ku solli edhe njëherë në vëmendje marrëveshjen Rama-Basha duke deklaruar se ajo marrëveshje kishte për qëllim të godiste LSI-në. Ndoka tha se Basha e kuptoi gabimin dhe u tërhoq.

"Marrëveshja Rama-Basha kishte për qëllim të godiste LSI-në. Ishte një marrëveshje e heshtur. LSI-ja ka problemet e veta por është një parti që i ka mbijetuar këtij sistemi zgjedhor.  Basha e kishte mbajtur në heshtje fajin për atë marrëveshje dhe akti që bëri rriti besimin ndaj tij. Ka pasur një propagandë nga Rilindja për ta barazuar fajin e asaj marrëveshjeje. Ai tashmë e ka lënë Ramën vetëm. Zoti Basha është shkëputur nga politika e vjetër"", u shpreh Ndoka.

Ai foli lidhur me djegien e mandateve të cilin e konsideroi një vendim partiak për të mirën e zgedhësve, duke shprehur se vendimi i Rudina Hajdarit për të mbajtur mandatin ishte i gabuar. Ai tha se Rudina Hajdari duhej të ishte konsultuar me zgjedhësit dhe jo më ndërkombëtarët.

"Është e drejta e çdo deputeti, është zgjedhje personale lidhur me mandatin. Opozita e bashkuar pati një vendim politik, por ajo vendosi që mos t'i bindej vendimit politik.

Është shumë e rëndë të thuehet se interesi kombëtar të jetë në duart e saj.

Minimumi i respektit ndaj zgjedhësve do ishte të organizonte një takim me ta dhe të kërkonte mendimin e atyre që e kanë zgjedhur para se të konsultohej me ndërkombëtarët. Interesi im personal do ishte të isha në parlament, por përderisa zgjedhësit e mi janë në protestë mua nuk më shkon të rri në parlament.

Unë do ta mbështesja vendimin e saj nëse ajo do ishte një zë kritik brenda PD dhe të kishte krijuar një profil brenda partisë. Ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë. Është paradoks sepse ajo më heërt deshi ta dorëzonte mandatin dhe akti do bënte sens dhe do fitonte pikë maksimale, ndërsa tani ka shkuar në kuotat minimale.

Në aspektin institucional, thirrja është në bllok, ndërsa interferimi në deputetetë të veçantë nuk ndodh. Unë nuk do kisha pranuar këshilla as nga miqtë e mi lidhur me mandatin" deklaroi Ndoka.

Ndoka u ndal edhe tek sistemi zgjedhor për të cilën tha se ka kritikat e tij ndaj Lulzim Bashës.

"Kam kritikat e mia ndaj zotit Basha lidhur me sistemin zgjedhor. Sistemi zgjedhor demokratizon edhe vetë partite politike. Anashkalimi i kësaj reforme nga zoti Basha nuk lë ndonjë shije të mirë as tek ne aleatët. Edhe në vitin 2008 kam qenë në grevë urie kundër Berishës dhe Ramës. Basha asokohe mbante kontakt me ne partitë aleate.

Asokohe ai ishte kundër ndryshimeve por donte të dinte edhe qëndrimin tonë'' tha kreu i PDK-së.