Ndotja akustike në Tiranë në nivel kritik, ja zonat më të prekura

8 Gusht 2018, 16:05

Në një kohë në të cilën po punohet së tepërmi për turizmin, qytetarët e Tiranës shqetësohen për një problem të vazhdueshëm, ndotjen akustike. Në katet e para të shumë banesave, kryesisht të pallateve zhvillojnë aktivitetin e tyre bizneset me leje të tipit C. Në këto biznese përfshihen lavazho, furra buke, gomisteri, karburante  etj, të cilat punojnë edhe në orare jo të përshtatshme, gjë e cila ka sjellë shqetësimin për të gjithë qytetarët që banojnë pranë të tilla bizneseve.

Vetëm në Policinë e Tiranës, çdo muaj vijnë rreth 2000 ankesa nga qytetarët në lidhje me zhurmat që shkaktojnë këto biznese. Zona e Don Boskos, Komuna e Parisit, zona e Brrylit etj janë disa prej zonave të cilat janë të tejmbushura me lavazho, furra buke, karburante etj, zhurma e të cilëve shkakton shqetësim te banorët. Ndërkohë që në Polici referohen 2000 ankesa në muaj vetëm për këtë çështje masat për zgjidhjen e kësaj situate nuk janë marrë ende.

Report TV është interesuar pranë ministrisë së Turizmit dhe mjedisit lidhur me këtë situatë, por ende pritet një përgjigje zyrtare prej tyre, duke mos dhenë kështu asnjë informacion për masat apo kontrollet që iu ushtrohen këtyre bizneseve, duke qenë se lejet e Tipit C jepen nga ministria e mjedisit. Por, çfarë ndodh në Bashkinë e Tiranës? A ushtron bashkia kontrolle? Referuar një shkrese zyrtare të bashkisë dërguar ministrisë së mjedisit thuhet se:

Në kuadër të krijimit të lehtësirave, të shmangies së barrierave administrative dhe të decentralizimit të kompetencave ligjore, me qëllim për të siguruar mbrojtje të lartë të mjedisit dhe zhvillimit të qendrueshëm, përmes përfshirjes së çështjeve të mjedisit gjatë hartimit e miratimit të planeve strategjike territoriale, po ju parashtrojmë kërkesën tonë në lidhje me kalimin e lejeve të Tipit C pranë njësive të bashkëqeverisjes vendore.