Ndryshimet e Kodit Penal për COVID-in, Basha: Nuk janë të nevojshme me përjashtim të një rasti

16 Prill 2020, 19:13 | Përditesimi i fundit: 2020-04-16 22:17:05

TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një bashkëbisedim online me gazetarët ripërsëriti thirrjen për rritjen e testimeve. Gjithashtu ai mbështeti kërkesën e Voltana Ademit që pushteti vendor të përfshihet në vendimmarrjen për gjurmimin e rasteve të infeksionit. "Nëse strategjia e testimeve nuk ndryshon, do ta kemi shumë të vështirë që ta drejtojmë vendin drejt hapjes, që ti japim fund detyrimit të qëndrimit në shtëpi dhe mbylljes në shtëpi. E pamundur që njerëzit të mbahen në shtëpi pa plan.

E pamundur të kemi një plan të tillë me këtë nivel testimesh. Sa i përket pasojave që ka te qytetarët dhe stafet mjekësore, nëse lejojmë infektimin e mjekëve dhe të infermierëve, jo vetëm shtojmë rrezikun, por dobësojmë të vetmen vijë mbrojtëse që ka sot shoqëria, që është shëndetësia. Prioritet duhet të jetë gjurmimi. Pushteti vendor ka qenë dhe mbetet jashtë loje, prandaj kërkesa jonë e shtruar edhe institucionalisht, të normohet angazhimi i pushtetit vendor për gjurmimin e rasteve të infeksionit' tha ai.