Ndryshimet në Kodin Penal: 15 vite burg nëse thyen karantinën dhe personi që infekton vdes

9 Prill 2020, 15:09 | Përditesimi i fundit: 2020-04-09 15:09:53

TIRANË - Report Televizion zbardh draftin e propozimeve për ndryshime në Kodin Penal në lidhje me ndëshkimet për personat që thyejnë rregullat dhe urdhrat e vendosura gjatë situatës së pandemisë COVID-19.

Kush nuk i bindet rregullave të reja të nxjerra gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 30 ditë deri në 1 vit burg. Por nëse nga thyerja e rregullave rrezikohet jeta ose shkaktohet vdekja e një personi tjetër, dënimi është me 1 deri në 5 vjet. Një shembull konkret është: Nëse një lokal që nuk respekton rregullin dhe qëndron hapur, siç ndodhi në qytetin e Elbasanit, nuk vendoset masë administrative me gjobë, por me burgim, pasi prej aty u infektua pronari dhe janë marrë tamponët e rreth 45 personave që kanë pasur kontakt me të pasi kanë hyrë në lokalin e hapur në paligjshmëri.