Ndryshimet/ SPAK me 13 kompetenca të reja, mesazh për politikanët që bëjnë thirrje për rrëmbim armësh

6 Mars 2021, 16:39

Ndryshimet e propozuara në 8 ligjet bazë të reformës në drejtësi parashikojnë zgjerimin e veprimtarisë së SPAK-ut, duke i kaluar në kompetencë edhe 13 vepra të tjera penale. Do të kalojnë në kompetencë të SPAK-ut dhe rrjedhimisht të Gjykatave Speciale, veprat penale si: krijimi i turmave të armatosua, banda e armatosur dhe prodhimi i armëve luftarake. Ky ndryshim është një mesazh i qartë për çdo politikan që kërcënon me destabilizim të vendit dhe për ata që bëjnë thirrje herë pas here për rrëmbim armësh, në kuadër të luftës për pushtet apo për të marrë një garanci se nuk do të preken nga drejtësia e re. Kujtojmë që në qershor të 2017, pasi ishte zgjedhur President, por vazhdonte fushatën për LSI-në, Ilir Meta bëri thirrje për t’u armatosur.

Në dhjetor të vitit 2018, Sali Berisha, i bëri thirrje popullit që të rrëmbente armët kundër qeverisë dhe për të sjellë atë në pushtet. Në asnjërin rast drejtësia nuk ka vepruar. Gjithashtu, sipas ndryshimeve, SPAK do të hetojë edhe veprat penale si: organizatat terroriste, vepra me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin, rekrutimi i personave, stërvitja dhe kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur për lidhje me terrorizimin si dhe nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.