Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar dje tatimpaguesit lidhur me ndryshimet më të fundit në drejtim të taksave dhe tatimeve, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare nr.134, datë 18.09.2018. Këto ndryshime përfshihen në ligjin nr.39/2018, datë 09.07.2018 – Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar.
Dispozitat ligjore të ndryshuara, si nevojë e zhvillimit të tregut, kanë saktësuar disa çështje, të cilat në mënyrë të përmbledhur trajtohen më poshtë.
Toka bujqësore
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ai që ka të bëjë me pagesën apo jo të tatimit në rast të kalimit të pronësisë mbi tokën bujqësore nga një pronar tek tjetri. Në nenin 8/1, në të cilin janë përcaktuar kategoritë e të ardhurave personale të përjashtuara nga tatimi, në pikën 11 është saktësuar trajtimi i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore, për rastet kur origjina e pronës është fitimi sipas ligjit nr.7501. Sipas këtij parashikimi, përjashtohen nga tatimi, që është normalisht 15 për qind e vlerës së tokës, ato raste, kur kalimi i të së drejtës së pronësisë bëhet brenda lidhjes gjinore, pra ndërmjet personave burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.”
Po kështu, në nenin 11 “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”, është saktësuar koncepti truall dhe tokë bujqësore. Gjithashtu në këtë nen është parashikuar që shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, bazuar në një kontratë shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluatjshme. Pra, për të nuk do të paguhet asnjë lloj tatimi.