Të gjithë personat e dënuar për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për bashkëpunim me shërbimet e huaja kundër interesave të Shqipërisë, për veprimtari terroriste, për krimet kundër njerëzimit si dhe për vrasje me dashje nuk do të përfitojnë më statusin e ‘Dëshmorit të Atdheut’. Për rrjedhojë, as familjarët dhe pasardhësit e tyre nuk do të gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Kështu parashikon projektligji i ri për statusin e Dëshmorit të Atdheut, i depozituar në Kuvend nga qeveria. Kriteret përjashtuese përcaktohen në nenin 6 të projektligj.
Ndërkaq, nisma ligjore nuk do të ketë efekt prapaveprues, çka do të thotë që të gjitha dekretet/vendimet e organeve shtetërore për shpalljen “Dëshmor”, të marra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk janë objekt rishikimi. Ligji nr. 8607, dt 27.4.2000 “statusi i dëshmorit të atdheut”, i ndryshuar në vitin 2004 dhe në vitin 2006, nuk parashikonte asnjë kategori përjashtuese për marrjen e statusit të Dëshmorit të Atdheut. Ligji i ri për Dëshmorët e Atdheut vjen në një kohë kur në Shqipëri vijon ende debati sa i takon rolit të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dy grupet politike akuzohen për bashkëpunim me pushtuesin, ndërsa Balli dhe Legaliteti akuzojnë drejtuesit e luftës partizane për vëllavrasje dhe luftë civile. Edhe më i mjegullt është debati për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja armiqësore në Shqipëri. Dosjet me spiunët e pretenduar të shërbimeve të huaja jo partnere, të cilat kanë punuar dhe punojnë kundër interesave të Shqipërisë, janë zhdukur në vitin 1997.
