Ndryshon ligji: Si mund të pezulloni nga detyra për 6 ditë prokurorët dhe gjyqtarët e KÇK-së

20 Dhjetor 2019, 18:03

Kushdo që disponon të dhëna dhe elemente të vërteta mbi veprimtari dhe sjellje abuzive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i krijohet mundësia për të pezulluar magjistratin nga detyra, përmes një ankimi me shkrim, brenda gjashtë ditëve. Nëse më parë pezullimi i prokurorit dhe gjyqtarit kërkonte deri në një vit kohë, pra deri kur të përfundonte hetimi disiplinor, tashmë pezullimi mund të behet për disa ditë. Kështu parashikon një projektligj që tre deputetë të Partisë Socialiste kanë dërguar në Kuvend. Nisma është një tjetër masë emergjente për të goditur dhe izoluar grupin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të quajtur ndryshe 'KÇK', 'kap çfarë të kapësh'. Ankesa mund të bëhet nga çdo individ, i cili mund të identifikohet ose të mbetet anonim. Deri kur të ngrihet Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ankesat do të bëhen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. 

Konkretisht nisma që ndryshon ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit ose ankesës ndaj një gjyqtari apo prokurori. Kur Inspektori vlerëson se ankesa është e besueshme, ia paraqet KLP ose KLGJ kërkesën e arsyetuar për fillimin e një procedimi disiplinor dhe për pezullimin e magjistratit, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marre dijeni për shkeljen e pretenduar. Këshilli pezullon magjistratin nga detyra, nëse krijon bindjen se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit. Këshilli vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tij jo me vone se 3 dite pas paraqitjes së kërkesës.

    No videos found.