Ndryshon vendimi për qiratë, shtyhet me dy muaj edhe për bizneset e vogla që nuk janë mbyllur

14 Prill 2020, 12:34

Të gjithë bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë qiranë për dy muaj, prill dhe maj. Nëpërmjet një akti Normativ qeveria ka ndryshuar aktin e mëparshëm për zgjatjen e masave të marra kundër infeksionit COVID-19, duke bërë përfitues të shtyrjes së pagesës së qirasë edhe bizneset që nuk janë mbyllur me vendim qeverie.

Sipas Aktit të publikuar në fletoren zyrtare saktësohet fakti që përfitues nuk do të jenë vetëm subjektet e mbyllura por i gjithë grupi i biznesit të vogël, për shkak se situata e krijuar, bllokimi i vendit si dhe masat e ndërmarra nga qeveria kanë ndikuar në uljen e xhiros, si dhe shumë ndërmarrje reduktuan stafin nga pamundësia për të paguar.

Të gjithë individët që duan të përfitojnë duhet të disponojnë patjetër një dokument të nënshkruar përpara shpërthimit të pandemisë botërore që vërteton se janë në marrëdhënie kontraktore me qiradhënësin.

Ndërkohë nga vendimi do të përfitojnë të gjithë studentët që kanë një kontratë noteriale me qiradhënësin si dhe ata persona që kanë mbetur të papunë si pasojë e masave të marra nga qeveria, dhe që punojnë në biznesin e vogël.