'Ndryshuan pronësinë e shkollës Sami Frashëri', Floida Kërpaçi: Bëmë kallëzim në prokurori, kemi dokumente

6 Nëntor 2020, 15:40

TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim ka deklaruar para Prokurorisë së Tiranës së ka bërë një kallëzim penal për çështjen e truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’ në kryeqytet.

‘Kemi ardhur te Prokuroria  e  Tiranës ku sapo depozituam një kallëzim për çështjen e truallit të shkollës 'Sami Frashëri'. Dokumentat që ne disponojmë vërtetojnë akuzën e bërë disa ditë më parë nga Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim,. Monika Kryemadhi’, shprehet Floida Kërpaçi.

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Floida Kërpaçi thotë se ka dokumente se në kartelat e pronësisë së truallit të shkollës 'Sami Frashëri' është ndërhyrë disa herë duke kaluar nga shteti në listë pronarësh dhe anasjellas dhe se ka kërkuar në Prokurori që të zbulohet se kush ka ndërhyrë në dokumente.

‘Dokumentet që ne kemi tregojnë që me kartelat e pronësisë së truallit të shkollës 'Sami Frashëri' është ndërhyrë disa herë  duke ndryshuar pronësinë nga shteti në  listë bashkëpronarësh dhe anasjelltas.

Ne jemi këtu për t'i kërkuar Prokurorisë së Tiranës të zbulojë kush ka ndërhyrë në kartelën e pronësisë të kësaj prone publike dhe cili ka qenë synimi i personave që kanë ndërhyrë.

Të jetë e qartë për të gjithë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ndalet së thëni të vërtetën.

Siç shpëtuam shkollën 'Sami Frashëri' dhe do t'i shkojmë deri në fund që të mos lejojmë tjetërsimin e kësaj prone, po ashtu do të jemi në krah të qytetarëve të Kombinatit, të Durrësit ,të Shijakut e të gjithë Shqipërisë  për të mos lejuar që qytetarët të jenë viktima të qeverisë së fasadave’, shprehet Kërpaçi.