Në 1 Qershor hapen çerdhet e kopshtet, Beqiri në Report Tv: Presim ulje të fluksit për shkak të verës

28 Maj 2020, 14:36 | Përditesimi i fundit: 2020-05-28 17:21:52

TIRANE-Në datë 1 Qershor, ditën e fëmijëve do të rihapen çerdhet dhe kopshtet pas një periudhë prej afro 3 muajsh mbyllur si pasojë e koronavirusit, që izoloi edhe Shqipërinë, ashtu si shumë vende në botë. Por si po vijojnë përgatitjet në 3 ditët e mbetura nga afati? Drejtoresha e Çerdheve dhe Kopshteve në bashkinë e Tiranës Zhaneta Beqiri në një intervistë për gazetaren e Report Tv, Doris Sallaku thotë se përgatitjet po vijojnë dhe të hënën gjithçka do të jetë gati për të mirëpritur fëmijët. Beqiri, bazuar te urdhri i ministrisë së Shëndetësisë tregon si do të bëhet pritja dhe përcjellja. Aktualisht në çerdhe dhe kopshte janë regjistruar rreth 12 mijë fëmijë, por për shkak të stinës ku ndodhemi nisur nga historiku i viteve të kaluara frekuentimi në këtë kohë nuk është më shumë se 3-4 mijë, tha Zhaneta Beqiri duke favorizuar kështu distancimin dhe mbarëvajtjen, pasi grupet nuk do të jenë të dendura.

"Bashkia e Tiranës në përmbushje të udhëzimeve ka marrë të gjitha masat, që data 1 qershor të garantojë shëndetin e fëmijëve. Pritja dhe përcjellja do të bëhet nga një edukatore te dera, me një termometër në dorë, me doreza, maskë dhe xhelin higjienizues për të pastruar duart. Do të dezinfektohen mjediset dhe lodrat. Stafi psiko-social, edukatoret, përgjegjëset përmes videove me animacioneve, gjuhës së fëmijëve, këngë dhe vjersha do ti ndërgjegjësojnë fëmijët pse është e rëndësishme që të bëjnë kujdes për higjienën dhe pse lojërat nuk do të jenë më në dendësi të madhe. Ajo që na favorizon është që rikthimi korenspodon me verën, që ka ulje të fluksit të fëmijëve në frekuentim. Gjatë verës vijnë 3-4 mijë fëmijë nga 12 mijë në total. Fëmija do të sillet vetëm nga një nga prindërit dhe rekomandohet mos të jetë më gjyshi apo gjyshja. Pjesa e stafit dhe kuzhina do të punojnë me maska dhe doreza" tha ajo.