Në datë 17 shtator në autostradën Durrës-Kukës, në Morinë do të futet në fuqi tarifa për kalimin e automjeteve. Ndryshe nga plani i parë i taksave që solli protestat e dhunshme, tanimë është përpunuar një paketë lehtësish për ata që e përdorin më shumë rrugën. Do të jetë një pajisje e posaçme – telepass – e cila do të mundësojë tarifimin e reduktuar të mjeteve të tilla. Paketa përfshin një tarifë prej 100 lekësh me TVSH për çdo kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Ajo do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës njëmujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Karta përkatëse do të blihet me parapagim. Kjo skemë ka të bëjë me makinat tip veturë familjare, që janë regjistruar për përdorim vetjak të qytetarëve. Invalidët e punës dhe shtresat në nevojë sipas ministrisë nuk do të paguajnë.
Ndërkohë, lidhur me linjat e transportit interurban, deri tani janë identifikuar 11 linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Për të eliminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale, me tarifë kalimi prej 100 lekësh me TVSH për 1 kalim.
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës, pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova), do të kenë trajtimin si më poshtë: Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, ka 10 për qind zbritje; mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritja shkon në 20%; mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30% dhe mbi 60 kalime në muaj, zbritja arrin në 40% të tarifës.
