Në 5 muaj pandemi u regjistruan 5 244 biznese të reja, QKB: U mbyllën 1 645 subjekte

13 Gusht 2020, 17:03

Guximi është një nga hapat e para drejt suksesit. Kështu po ndodh edhe në kohë krize. Edhe pse në pandemi shumë persona kanë vendosur të bëjnë biznes. Një fakt i tillë reflektohet në shifrat e personave që kanë regjistruar biznesin e tyre pranë QKB-së.

Sipas të dhënave të siguruara nga Report TV pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit që nga 1 marsi i këtij viti e deri më 31 korrik janë regjistruar 5244 biznese të reja.

Po gjatë kësaj periudhe janë ç’regjistruar 1 mijë e 645 biznese, por sipas QKB-së në regjistrin tregtar nuk regjistrohen arsyet e mbylljes se biznesit.

Pjesa më e madhe e bizneseve të hapura janë të sektorit të shërbimeve, pasi nga regjistrimet ditore në QKB vihet re që ka një numër të lartë personash që janë regjistruar si aktivitet bar-kafeje.

Sipas të dhënave vetëm për periudhën e pandemisë janë më shumë biznese janë regjistruar ne qarkun Tirane 2535 biznese, qarkun Durrës 558 biznese dhe qarku Vlore 544 biznese.

Nga ana tjetër pasiguria në rritje e shkaktuar nga pandemia COVID-19, si dhe kriza ekonomike kanë ndikuar negativisht tek numri i bizneseve të reja. Në 6 muajit e parë të këtij viti janë hapur rreth 1 mijë biznese më pak se në gjashtëmujorin e parë të 2019.