Në 'arrest shtëpie'! Historia e dy të moshuarve në Fier: Dola për bukë s'e jam vetëm

31 Mars 2020, 16:26

Nënë Jorgjie Taka, 80 vjeç jeton e vetme në një banesë në lagjen "Apollonia" në Fier pasi prej 14 vitesh bashkëshorti ka ndërruar jetë. E moshuara ka dy fëmijë, një vajzë e cila është e martuar dhe jeton me familjen e saj ndërsa djali ndodhet në Greqi. "Kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, vajzën e kam të martuar dhe me fëmijë, kurse djalin e kam në Greqi me familjen. Unë jetoj vetëm, burri ka 14 vite që më ka vdekur", tha 80 vjeçarja.

Për shkak të situatës nga koronavirusi qeveria ka vendosur që pensionistët duhet të qëndrojnë në shtëpi deri në një urdhër të dytë, ndërkohë ata që janë të vetmuar do t'u shërbehet nga autoritetet sociale shtetërore. Por nënë Jorgjie Taka thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga bashkia dhe i duhet të shkojë vetë që të blejë bukën pasi nuk ka askënd që ta ndihmojë.

"Unë shkoj vetë të marrë bukë, se s'ka kush të marrë, unë nuk kam njeri", tha e moshuara. 80 vjeçarja tregon se në lidhje për pensionin e mori një punonjëse në telefon për t'ia dërguar në shtëpi, por "unë e marrë në bankë" tha ajo dhe për këtë shkak shkova e mora vetë.

"Jo askush s'më ndihmoi, për pensionin më telefonoi një vajzë dhe më pas thanë kush e ka në bankë duhet të shkojë ta marrë vetë dhe unë shkova", tha Jorgjie Taka. E pyetur nëse ka frikë nga koronavirusi, nënë Jorgjia thotë se nuk i trembet aspak. "Nuk kam frikë, pse të kem frikë, plak jam unë punë e madhe", tha 80 vjeçarja. 

Merushe dhe Bari Grabova, 92 dhe 90 vjeç, janë një tjetër çift të moshuarish të cilët jetojnë vetëm pasi nuk kanë fëmijë. 92-vjerçarja prej 5 vitesh ka probleme me gjymtyrët për shkak të problemeve nga diabeti. E pamundur për të lëvizur ajo thotë se vazhdimisht janë ndihmuar nga komshinjtë, por si pasojë e koronavirusit tashmë i duhet të qëndrojnë në shtëpi.